Nr. 3-4 STUDIME FILOLOGJIKE 2022 ARISTOTEL SPIRO PËR NJË RIFORMULIM TË PARIMEVE TË DREJTSHKRIMIT Rishikimi i drejtshkrimit shihet parimisht si diçka e vetëkuptueshme, por praktikisht krijon probleme shumë mëdha dhe shpeshherë pakapërcyeshme. Bashkësia e përdoruesve të gjuhës kërkon një mjet komunikimi jo vetëm të përbashkët, jo vetëm të motivueshëm nga ana sistematike gjuhësore, por edhe të qëndrueshëm në pikëpamje kodifikuese komunikative. Pas miratimit të Rregullave të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1972), ato janë shndërruar praktikisht në një ligj të detyrueshëm për të gjithë përdoruesit e gjuhës. Kjo tirani shkrimi(Saussure 1983: 31) është e pashmangshme, nëse shoqëria dëshiron që të ketë një kod të përbashkët e të qëndrueshëm komunikimi. Interesimi që kanë përdoruesit e zakonshëm dhe gjuhëtarët për drejtshkrimin është i përligjur. Mirëpo dëshira për të propozuar ndryshime në drejtshkrim vjen në kundërshtim me karakterin konservativ të drejtshkrimit. Nëse janë miratuar Rregullat e Drejtshkrimitnë vitin 1972 dhe ekziston një masë e madhe njerëzish, shumica dërrmuese, që i kanë mësuar dhe po i zbatojnë, atëherë cila nevojë ekziston që ato rregulla të ngulitura të ndryshojnë? Përvoja drejtshkrimore e gjuhëve të tjera dëshmon se drejtshkrimi herë pas here pëson ndryshime që e lehtësojnë shkrimin e përdoruesve. Këto ndryshime megjithatë bëhen me shumë kujdes, atëherë kur vërtet ekzistojnë arsye për zëvendësimin e një drejtshkrimi të vjetër me një drejtshkrim të ri. Para se të propozohet çdo lloj ndryshimi, duhen hartuar kriteret që shfajësojnë formulimin e një propozimi për ndryshim. Por ajo që ka rëndësi më të madhe është përcaktimi i saktë i parimeve të drejtshkrimit të gjuhës: parimit themelor dhe parimeve dytësore. Formulimi i tyre i saktë funksionon si një katalizator që lehtëson diskutimin duke përjashtuar prej tij të gjitha ato propozime ndryshimesh të panevojshme, edhe në qofshin të motivueshme nga ana fonetike ose gramatikore. Në këtë punim formulojmë kriteret mbi të cilat duhen bërë propozimet për ndryshime drejtshkrimore, si dhe përcaktojmë parimin fonologjik si parimin bazë të drejtshkrimit shqip. Po ashtu, formulojmë edhe një radhë parimesh të tjera dytësore plotësuese, që veprojnë në drejtshkrimin shqip. *** Arritja kryesore e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) ishte vendosja e normës drejtshkrimore dhe miratimi i gjuhës letrare kombëtare si kodi i