Naim Frashëri dhe kodi letrar persian (Gjurmë të Mevlana Rumiut në poezinë e Naim Frashërit) Dr. Abdulla Rexhepi Abstrakt Kontaktet letrare mes popujve lindin dhe vazhdojnë të ruhen natyrshëm. Kultura shqiptare, si çdo kulturë tjetër, ka ditur çfarë të huazojë prej kulturave tjera dhe ka pasur çfarë t’u japë atyre. Në arealin e krijimtarisë letrare shqipe vërejmë huadhënie, ndikime, pikëtakime dhe kontakte me kulturat e letërsitë tjera botërore. Ndër to hasim dhe letërsinë perse, qielli i së cilës numëron yje të mëdhenj që me krijimtarinë e tyre u bënë pjesë e zhvillimit intelektual dhe spiritual në shumë vende të botës. Të të kaluarën, tradita e krijimtarisë letrare perse qe mirëpritur nga elitat e kulturës shqiptare, disa prej të cilëve madje morën guximin edhe të krijojnë në gjuhën e Ferdusit, Hafizit, Saadiut, Mevlanës, etj.. Faktet historike dëshmojnë se në viset shqiptare kanë jetuar disa poetë që krijuan në gjuhën perse, në mesin e të cilëve është dhe poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri. Ai përpos që krijoi në persisht, gjithashtu në poezinë e tij shqipe shfrytëzoi e përpunoi edhe motive e subjekte nga kodi letrar pers, veçanërisht nga Mevlana Xhelaludin Rumiu. Në këtë punim do të përpiqem të analizoj konceptin e Njëshmërisë së Qenies (Vahdet-i Vuxhud) - koncept mjaft i përdorur nga Mevlana - në poezinë e Naimit. Duhet theksuar se deri më tani ka pasur disa tentativa të analizimit të ndikimeve letrare perse te Naim Farshëri, por studiuesit që kanë trajtuar këtë problematikë nuk kanë pasur mundësi të njohin në origjinal poetikën orientale - islame, apo thënë ndryshe kanë pasur njohuri sipërfaqësore edhe atë nga ndonjë përkthim i kësaj letërsie. Për atë dhe mendoj se akoma shumë pak është thënë për gjurmët e filozofisë e poetikës orientale, veçanërisht asaj perse në krijimtarinë e Naim Frashërit. Fjalë Kyçe: Naim Frashëri, Mevlana Rumiu, Njëshmëria e Qenies, panteizmi, poezia perse