Dr. Abdulla Rexhepi Krijimtaria letrare perse në trevat shqiptare Abstrakt Me ardhjen e Islamit në trojet tona, erdhën edhe kulturat e popujve myslimanë, të cilët kishin dhënë kontribute të dukshme në qytetrimin islam. Në mesin e këtyre kulturave hasim edhe letërsinë perse, qielli i së cilës numëron yje të mëdhenj që me krijimtarinë e tyre ndriçuan shpirtrat dhe mendjet e njerëzimit. Tradita e krijimtarisë letrare perse u mirëprit edhe nga elitat e kulturës shqiptare të shekujve të mëparshëm, të cilët morën guximin të shkruajnë në gjuhën e Ferdusit, Hafizit, Saadiut, Mevlanës, etj.. Dëshmitë tregojnë se kanë jetuar disa poet të viseve tona që krijuan në gjuhën perse, në mesin e të cilëve është edhe poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri. Në këtë punim do të përpiqem që të prezantojë poetët shqiptarë që krijuan në gjuhën perse dhe të analizojë në pika të shkurtra krijimtarinë e tyre letrare. Punimi do të ketë karakter prezentativ dhe analitik. Fjalë Kyçe: Poetët shqiptarë, gjuha perse dhe letërsia perse.