SShSh Buletin shkencor 2016 Mimoza PRIKU 100 VJET GJUHËSI MODERNE Gjuhësia ka për objekt të vetëm dhe të vërtetë gjuhën të parë më vete dhe për vete Ky postulat që mbyll “Kursin e gjuhësisë së përgjithshme” të gjuhëtarit zvicerian Ferdinand de Saussure, ka qenë objekt polemikash mes gjuhëtarësh për këto 100 vjet. Një pjesë e tyre, ka zbuluar kontradita në terorinë e Saussur-it, të tjerë mendojnë, se ky aforizëm është shtuar më pas nga ish-studentët e tij, duke marrë shkak edhe nga botimi postum i kësaj vepre. Pavarësisht debateve që ka ngjallur e tërë teoria e Saussur-it, asgjë nuk mund të zbehë rëndësinë e vitit 1916, i cili ka hyrë si një datë e rëndësishme në historiografinë gjuhësore. Pak emra në historinë e gjuhësisë kanë arritur t’i qëndrojnë kaq shumë kohës dhe ideve të reja që ajo prodhon, por njëri prej tyre është padyshim Ferdinand de Saussur, i cili jo vetëm që solli propozime të reja në gjuhësi, por ka qenë burim për gjenerim idesh e tezash për gjuhëtarë të tjerë. Vepra e Saussur-it erdhi 100 vjet pas botimit të studimit të F.Bopp-it Über das Conjugationssystem der Sanskritsprache in Vergleichung mit jenem der griechischen, lateinischen, persischen und germanischen Sprache (“Rreth sistemit të sanskritishtes e krahasuar me greqishten, latinishten, persishten dhe gjuhët gjermane”), vepër e cila shënoi fillimin e një epoke të re në gjuhësi, lindjen e gjuhësisë historiko-krahasuese. Në këtë punim, Bopp-i bëri përshkrimin e foljeve për gjuhët e marra në shqyrtim, duke marrë si pikënisje sanskritishten. Studiuesi gjerman shprehu idenë se të gjitha gjuhët IE rrjedhin nga një gjuhë e përbashkët, nga një Protogjuhë (paragjuhë), elementet kryesore të së cilës i ruan më mirë sanskritishtja. Puna e Bopp-it shërbeu edhe si frymëzim për gjuhëtarin gjenovez. Kthesa që Saussure-i solli në gjuhësi, është pagëzuar edhe si “revolucioni sosyrian”. Kush ishte Ferdinand de Saussure? Ferdinand de Saussure (1857–1913) ka lindur në Gjenevë dhe ishte pinjoll i një familjeje, e cila ishte vendosur në Zvicër nga Franca, për shkak të persekutimeve ndaj një stërgjyshi të tij. Ishte njëri prej trembëdhjetë fëmijëve që pati kjo familje dhe prej saj kishin dalë breza të tërë