Abdulla Rexhepi Studimet e reja kur’anore dhe përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe Studim komparativ i përkthimeve të Kur’anit në shqip me përkthimin e Muhamed Asad’it Te shqiptarët, ashtu si te popujt tjerë myslimanë, Kur’ani – si kulturë orale apo si tekst - mund të konsiderohet si libri më i lexuar në krahasim me çdo vepër tjetër shkencore apo letrare. Kur’ani, gjithashtu është dhe libri për të cilin, shqiptarët më së shumëti u interesuan ta përkthenin dhe ta përfitonin në gjuhën e tyre. Studiuesit shqiptarë të Kur’anit të periudhës së para Luftës së II-të botërore – siç shohim në botimet e asaj kohe - ndiqnin nga afër studimet shkencore rreth Kur’anit në Evropë, madje qenë në atë pozitë sa të zhvillonin debate me orinetalistë, disa prej qëndrimeve të të cilëve i konsideronin të paqëndrushme. Rrethanat politike tashmë të ditura, nuk lejuan kontinuitetin e kësaj tradite studimore dhe kështu, studimet tona fetare asnjëherë më nuk arritën të zënë hapat e zhvillimeve të reja në fushat e Islamistikës. Arritjet e reja filozofike, lingustike dhe në teorinë letrare në botën perëndimore thelluan edhe më shumë labirintet e hermeneutikës së Librave të Shenjtë dhe si rezultat i kësaj, sot janë krijuar mundësi për lexime dhe kuptime bashkëkohore dhe univerzale të këtyre Librave, veçanërisht Kur’anit. Prandaj dhe, kur kemi parasysh faktin se Kur’ani është referenca kryesore që derivon bindjet dhe mendimet fetare të myslimanëve shqiptarë, studimet për te dhe përkthimet duhen të jenë të koordinuara me zhvillimet e reja shkencore, me qëllim që ata (myslimanët shqiptarë) të mund të bëhen pjesë e debateve shkencore dhe intelektuale. Pas diskutimeve teorike rreth metodave dhe qasjeve të reja në hulumtimet kur’anore dhe domosdoshmërinë përfshirjes së tyre në avancimet e studimeve dhe përkthimeve tona të Kur’anit, në këtë punim mëtoj të analizoj disa ajete të përkthyera në gjuhën shqipe dhe ata t’i krahasoj me përkthimin e Kur’anit nga Muhamed Asad, i cili aktualisht për arsye të ndryshme konsiderohet si njëri nga përkthimet më të pranuara në gjuhën angleze dhe atë turke. Si rezultat i këtij punimi do të shohim dallime esenciale midis përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe dhe atij të Muhamed Asadit, sidomos ajetet që kanë të bëjnë me bindje dhe mendime ontologjike dhe epistemologjike të myslimanëve. Metodologjia e ndjekur në këtë punim është përshkruese në pjesën teorike të tij dhe komparative në pjesën praktike. Fjalë kyçe: Shpallja (Vahj), Kur’ani, përkthimet shqip të Kur’anit, historicizmi, semantika, linguistika kognitive, studimet komparative, Muhamed Asad