1 Xhafer Beqiraj Çështje të trajtimit semantik të mbiemrave në gramatikat e shqipes 1 Çështja e trajtimit semantik të mbiemrave nëpër gramatikat tona del një temë deri vonë e parrahur fare. Vështirësia e ndarjes së mbiemrave në klasa vjen si pasojë e mosvendosjes së parimeve të qarta për ndarjen e tyre në klasa. Kjo vështirësi e zgjidhjes së kësaj çështjeje më së miri mund të hetohet, po qe se e hulumtojmë këtë temë në mënyrë kronologjike gjatë rrugëtimit dhe zhvillimit historik të gramatikës së shqipes. Atëherë do të shohim se trajtimi semantik i mbiemrave fillon të trajtohet në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, kurse para kësaj kohe, nga ndonjë autor është prekur intuitivisht ndonjë segment semantik i mbiemrave, por nuk është bërë ndonjë trajtim i plotë dhe i mbështetur në kritere kuptimore për ndarjen e tyre në klasa. Çështja e klasifikimit të mbiemrave në klasa mbështetur në parime shkencore u trajtua për herë të parë nga prof. Shaban Demiraj në veprën “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe” (1966). Këtë temë do ta vështrojmë në disa gramatika, duke filluar nga gramatika e Samiut e deri më sot. Në gramatologjinë shqiptare, kjo çështje, siç thamë më lart, del problematike për sa i takon ndarjes së mbiemrave në klasa semantike. Gjatë vëzhgimit të mbiemrave, në gramatikën e S. Frashërit, Gj. Pekmezit, I. D. Sheperit, K. Cipos, O. Myderrizit, At J. Rrotës, P. Elezit – L. Dodbibës etj. e gjemë të trajtuar këtë klasë fjalësh kryesisht në rrafshin strukturor. Këta autorë mbiemrat i kanë ndarë në mbiemra të nyjshëm - të panjyshëm dhe në cilësorë e përcaktorë. Te klasifikimi i mbiemrave “cilësonjës” (cilësorë) hynin të gjithë mbiemrat, kurse te klasa e mbiemrave “përcaktonjës”, sipas tyre, hynin: numërorët, dëftorët, pronorët, përemrat pyetës dhe të pacaktuar. Kjo ndarje nuk është mbështetur në parime semantike për klasifikimin e mbiemrave, andaj në këto gramatika nuk kemi një klasifikim të mirëfilltë semantik, ndonëse disa nga këta dijetarë aty-këtu kanë prekur segmente semantike të mbiemrave, si p.sh. Sheperi, Cipoja dhe bashkautorët Elezi e Dodbiba. I. D. Sheperi te “Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe” (1927), në kreun III “Etimologjia”, duke trajtuar mbiemrat e prejardhur, ndalet edhe në anën semantike të disa mbiemrave të formuar me prapashtesat -shëm (-ëm), si i ndershëm, i nevojshëm, i turpshëm, i fisshëm ose i fisëm, i fundëm 2 etj., të cilët tregojnë cilësi. Më tutje autori vijon me mbiemrat e prejardhur nga folje, të cilët ai i quan mbiemra pjesorë (ose pjesore të nyjshme) dhe mbiemra foljorë. Ky dijetar vë në dukë dallimet e disa mbiemrave prejpjesorë, disa prej të cilëve kanë kuptim pësor e disa të tjerë veprorë, p.sh.: i nderuar, i pyetur, i lidhuri 3 ; i ditur, i qeshur etj. Mbiemrat foljorë të formuar me prapashtesën -shëm (-ëm), sipas Sheperit, “tregojnë atë që mund ose meriton të pësojë, p.sh.: i shkrueshëm, i pëlqyeshëm, i mërzitshëm, i çmueshëm, i ardhëm, i pritëm” 4 etj. Më pas vijon të trajtojë mbiemrat foljorë me prapashtesën -t(ë), të 1 FHF − UT, Departamenti i Gjuhës, Konferencë shkencore “GJUHA SHQIPE NË 100 VJET SHTET SHQIPTAR” , Tiranë, më 13. 11. 2012. Kumtesë e lexuar në këtë konferencë dhe e botuar në revistën e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë. 2 Shih: I.D. Sheperi, Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe, Vlorë, 1927, f. 136. 3 Mbiemrin e lidhur, autori e përdor të substantivuar. 4 Shih: po aty, f. 135−136