RITI I VARRIMIT TUMULAR NË KOSOVË 587 Sedat BARALIU RITI I VARRIMIT TUMULAR NË KOSOVË Tumat janë monumenti më i lashtë sepulkral në pjesën veriperëndimore të Gadishullit Ballkanik. Riti i varrimit tumular, siç është provuar, ëshë shfaqur në Ballkanin Perëndimor në fillimet e broznit të hershëm, si rezultat i dyndjeve indoevropiane nga lindja në Ballkanin Perëndimor në fillim të epokës së Bronzit 1 . Në fillim të periudhës së Bronzit, tumat janë të pakta, ndërsa në bronzin e mesëm dhe të vonë vijnë duke u rritur, e në periudhën e hekurit ato përhapen gjerësisht, duke u bërë riti kryesor i varrimit dhe tipar karakteristik i ritit mortor në Iliri. Territori i Kosovës, i cili në antikitet e zinte pjesën qendrore të Dardanisë 2 , ishte mjaft i pasur me varreza tumulare. Edhe pse një numër reklativisht i mirë i tumave është gërmuar, prap nuk mjaftojnë për rindërtimin e procesit kulturor dhe historik të periudhave të Bronzit dhe të Hekurit te dardanët. Riti i varrimit tumular konstatohet tek dardanët edhe pas pushtimit romak, por si një fenomen tepër i rrallë, madje edhe gjatë mesjetës, si evokim i një tradite të stërlashtë vendase. Tumat në periudhën e bronzit të hershëm janë më të pakta dhe zakonisht ato mbulonin vetëm një varr. Sipas B Jubanit, këto tuma, në fillimet e tyre kanë pasur karakter vetjak. Në periudhën e hershme të hekurit, rritet numri i ngritjes së tumave si rrjedhojë e rritjes natyrore të popullsisë, dukuri kjo e kushtëzuar nga përparimet ekonomike që solli futja në përdodrim e metalit të ri 3 . Në territorin e Kosovës deri më tani janë evidentuar një numër i madh i tumave, të gërmuara dhe të pagërmuara (fig 1). Tuma të ngritura në bronzin e hershëm në territorin e Kosovës deri më tani janë evidentuar në tumën Bernjicës së Pejës 4 dhe asaj të Lubozhdës 5 . Në varret qendrore të këtyre tumave u zbuluan nga një skelet i ruajtur mirë dhe ishte në pozicion të fjetur, i vendosur në shpinë, me këmbë të mbledhura lartë dhe të kthyera djathtas nga presioni i dheut (fig 2) 6 . 1 Korkuti M., 2010, fq.319. 2 Dardania shtrihej gjithashtu edhe në një pjesë të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut, si dhe në një pjesë të Shqipërisë Verilindore. 3 Jubani B., 1983, fq. 249. 4 Bunguri A., Luci K., Kastrati T., 2008, fq. 32. 5 Gashi Sh., Alaj P., Baraliu S., Gërmiet arkeologjike të kryera në vitin 2014, materiali ende nuk është botuar. 6 Po aty.