71 Fatos DIBRA Mbi burimin e Fjalorit të Frang Bardhit: Një qasje turkologjike 1. Hyrje Në analizën që Mario Roques i bën Fjalorit të Frang Bardhit: “Dictionarium latino-Epiroticum” (Romae 1635 – DLE), mes tjerash diskuton edhe çështjen e burimit të kësaj vepre të parë në llojin e vet në letërsinë shqipe. Sipas tij “Âsht mjaft e vështirë me e dijtë mënyrën se si Bardhi i ka zgjedhë falët latine që donte me përkthye” (Roques 2008 2 :37). Prej kësaj kohe ky diskutim nuk është vijuar më tej nga studiuesit e kësaj vepre dhe përgjithësisht duke marrë si pikë referimi shqetësimin në lidhje me gjuhën shqipe që “bdaretë e bastardhohetë” (DLE, IIIr) që Bardhi përmend mes problemesh të tjera, – si p.sh., mosnjohja e latinishtes prej klerikëve që ushtronin aktivitetin e tyre në trojet shqiptare në kohën e tij – është marrë si e mirëqenë që falori është vepër origjinale e këtij autori. Vetë Bardhi, teksa rrëfen procesin e punës për hartimin e falorit, më se një herë bën me dije se puna e tij konsiston në përkthimin e një burimi në gjuhë të huaj dhe një herë sqaron se përkthimi është nga gjuha latine: “Më ndy jo pak mirë me marrë e me nkëthyem n giuhet cë lëtine mbi giuhët t arbëneshe nja dictionār, gji tietrë s ashtë veçëse nja librë, gji ka ndë vetëhe sā falë e sā emëna [...]” (DLE, IIIr); e më tej “zuna fīll me këthyem këtë dictionār mbi giuhët tanë.” (DLE, IIIv). Në krahasim me veprat e tjera të autorëve katolikë të Veriut, që për shkak të strukturës dhe përmbajtjes fetare nuk është shumë e vështirë të përcaktohet burimi prej nga janë përkthyer ose ku autorët janë mbështetur për përgatitjen e veprës përkatëse, Fjalori i Bardhit nuk është një vepër me karakter të spikatur fetar dhe ka përmbajtje shumë të përgjithshme. Për këtë arsye evidentimi i një burimi që mund t’i jetë referuar autori paraqet mjaft vështirësi. Duke u nisur nga të dhënat që jep Bardhi, nga prezenca e disa pjesëve në gjuhën turke në falorin e tij, nga kushtet kulturore e politike dhe vendi ku u përgatit kjo vepër, duket me vend që dictionarium-it t’i qasemi duke marrë parasysh zhvillimin e interesit dhe disiplinës së mësimit të gjuhëve orientale në disa qendra të Europës. Në këtë kuadër, në këtë shqyrtim do të bëjmë: (1) një pasqyrë të traditës së shkrimit të veprave të ndryshme mbi gjuhën e kulturën turke, në